Një grua 55-vjeçare, iu nënshtrua torturave dhe dhunës së rëndë fizike nga një grua tjetër 42-vjeçare, në një banesë në Heraklion të Kretës.
Mësohet se të dyja ishin shtetase të huaja, por nuk përcaktohet origjina e tyre.
Sipas Policisë Greke, viktima u përball me akte të rënda dhune, ndërsa e dyshuara dyshohet se i regjistronte me telefonin e saj celular. Deri tani, autoritetet nuk kanë sqaruar motivet e ngjarjes dhe as marrëdhënien mes dy grave. Sipas hetimeve, 55-vjeçarja ishte e strehuar në banesën ku ndodhi incidenti.
Sipas dosjes hetimore, në telefonin e 42-vjeçares janë gjetur të paktën 11 video që dokumentojnë pjesë të torturës. Në një prej tyre, sipas policisë, ajo shihet duke e goditur viktimën me një shkop derisa kjo fillon të gjakoset.
Në një tjetër video, 55-vjeçarja shfaqet e lidhur në dysheme, në gjendje të rënduar fizike. Më pas, e dyshuara i afrohet, e godet sërish dhe më pas i pret flokët me një sëpatë të vogël (mjet prerës me teh).
Rasti u zbardh nga Nëndrejtoria për Hetimin dhe Zbulimin e Krimeve në Heraklion. Të hënën, të përfshirët pritet të dalin para autoriteteve gjyqësore.
Sipas hetimeve policore, ngjarja ndodhi mëngjesin e 25 qershorit 2026 në një banesë në zonën Agia Triada. E dyshuara 42-vjeçare dyshohet se e sulmoi në mënyrë të përsëritur 55-vjeçaren, duke e goditur me grushte dhe shuplaka në fytyrë dhe trup, ndërsa më pas përdori edhe një shkop për ta rrahur.
Gjatë sulmit, viktima dyshohet se u kërcënua vazhdimisht me vdekje, u fye dhe iu nënshtrua veprimeve që, sipas autoriteteve, përbëjnë cenim të dinjitetit seksual. Po ashtu, e dyshuara dyshohet se kishte bllokuar daljen e banesës duke lidhur derën me një kabllo, duke ia pamundësuar viktimës arratisjen. Ajo arriti të largohej vetëm pasi 42-vjeçarja kishte rënë në gjumë.
Policia greke thekson se e gjithë ngjarja dyshohet të jetë filmuar nga vetë autorja pa pëlqimin e viktimës. Gjatë kontrollit në telefonin e saj u gjetën të paktën 11 video që dokumentojnë një pjesë të akteve të dhunës.
Gjatë hetimeve doli në pah edhe përfshirja e një shtetasi të huaj 60-vjeçar, pronar i banesës. Sipas dosjes, ai ishte në dijeni se dy gratë ndodheshin në shtëpi, kishte vënë në dispozicion ambientin ku ndodhën ngjarjet dhe ishte larguar përpara se të niste sulmi. Ai u arrestua për qëndrim të paligjshëm në Greqi.
Çështja u zbulua rastësisht gjatë hetimit të një tjetër dosjeje, që lidhej me vjedhjen e një telefoni celular. Gjatë kontrollit të pajisjes së 42-vjeçares, policia gjeti materialin filmik të torturës, çka çoi në zbardhjen e plotë të rastit.
Gjatë kontrolleve në banesa u sekuestruan, ndër të tjera, mjeti prerës që dyshohet se u përdor gjatë sulmit, rroba me njolla gjaku, një tufë flokësh njerëzorë, një shkop i thyer prej druri dhe telefonat celularë të personave të përfshirë.
Sipas Policisë Greke, 42-vjeçarja nuk u arrestua për këtë çështje për shkak të skadimit të afatit të arrestimit në flagrancë, por ajo ndodhet tashmë në paraburgim për një çështje tjetër. Hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e ngjarjes.
