Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Elbasan, ku një 56-vjeçar është gjetur i pajetë, i vrarë me armë zjarri. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si Ura e Lizës.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se trupi i viktimës është konstatuar pa shenja jete, ndërsa nga të dhënat e para dyshohet se akti mund të jetë kryer në kushte të rënduara psikologjike.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe zbardhjen e dinamikës së ngjarjes. Zona është rrethuar, ndërsa po kryhen këqyrjet dhe po mblidhen prova materiale që mund të ndihmojnë në hetim.
Paraprakisht, autoritetet nuk kanë indicie për përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje, ndërsa hetimet vijojnë për të hedhur dritë mbi shkaqet dhe motivet e plota.
