Një kontroll rutinë policor në Bad Wiessee të Bavarisë ka zbuluar katër punëtorë nga Kosova që po punonin ilegalisht në rrethin e Miesbach.
Të katër personat ndodheshin në një furgon me targa sllovene, i cili u ndalua nga policia gjatë orëve të mëngjesit.
Policia gjermane njoftoi se personat ishin të moshës 22 deri në 44 vjeç dhe nuk posedonin dokumentet e nevojshme për punë dhe qëndrim në Gjermani.
Pas verifikimeve, autoritetet konstatuan se njëri prej tyre – 44 vjeçar – kishte edhe një urdhër aktiv arresti për shkelje të ligjit të qëndrimit.
Ky person nuk arriti të paguante shumën e caktuar nga gjykata për të shmangur burgun dhe u dërgua direkt në Qendrën e Paraburgimit në Bernau am Chiemsee.
Ndërkohë, tre personat e tjerë do të përballen me procedura penale për qëndrim të paligjshëm.
Rasti ka hapur hetime edhe ndaj kompanisë që i ka punësuar, me dyshimin se ka shfrytëzuar punëtorë pa dokumentacion të rregullt. Autoritetet paralajmërojnë kontrolle të shtuara në zonë për të luftuar punësimin ilegal.