Një situatë e rëndë dhe mjaft e tensionuar ka shoqëruar protestën e pretenduesve të pronave në zonën e Zvërnec, aty ku parashikohet ndërtimi i një resorti turistik nga kompania Zvërnec South Adriatic Development.
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale kanë shkaktuar reagime të forta, pasi në video shihen përplasje fizike mes protestuesve dhe disa personave civilë pa uniformë zyrtare.
Sipas raportimeve, një protestues që kishte humbur ndjenjat është tërhequr zvarrë gjatë incidentit, ndërsa personi i identifikuar si autor i dhunës pretendohet të jetë Geraldo Bina.
Ngjarja ka sjellë edhe reagimin publik të Mateo Borri, i cili publikoi pamjet në rrjetet sociale duke shkruar vetëm:
“Turp! Turp! Turp!”
Pas incidentit, Policia e Vlorës publikoi fillimisht një version zyrtar ku pretendohej se protestuesi me inicialet E.S. kishte hyrë me forcë në kantier dhe ishte neutralizuar nga siguria private.
Por pak më vonë, ky version u përgënjeshtrua nga vetë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, e cila kërkoi ndjesë publike dhe sqaroi se qytetari nuk kishte hyrë me forcë në territor.
Në deklaratë thuhej:
“Besimi i publikut për Policinë e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast.”
Si pasojë e këtij informacioni të pasaktë, drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela, është pezulluar menjëherë nga detyra.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka deklaruar se territori ku po zhvillohet konflikti rezulton pronë private me dokumentacion të rregullt ligjor, ndërsa çdo pretendim mbi pronësinë duhet të ndiqet në rrugë gjyqësore.
Pamjet dhe zhvillimet e fundit kanë ndezur debat të madh në rrjet, ku shumë qytetarë po kërkojnë transparencë dhe hetim të plotë për incidentin.

