Luan Pirdeni, babai i ministres Adea Pirdeni dhe profesor i hershëm i Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, ka ndërruar jetë pasditen e kësaj të enjte. Ai është përplasur nga një motomjet teksa ecte me biçikletë te “Rruga Bardhyl”.
Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës, por vetëm tani bëhet me dije. Si pasojë e përplasjes së fortë, profesor Luan Pirdeni ka marrë dëmtime në trup dhe është dërguar me urgjencë në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Mirëpo, pavarësisht kujdesit, ai ka mbyllur sytë në moshën 87 vjeçare. Shërbimet e Policisë së Tiranës kanë arrestuar për ngjarjen, drejtuesin e motomjetit, shtetasin S. M., 31 vjeç.
Vetem pese dite me pare, Ministrja e Administratës Publike dhe Antikorrupsionit, Adea Pirdeni, ka përjetuar një nga momentet më të rëndësishme të jetës së saj personale, duke u bërë nënë për herë të parë.
Ajo ka sjellë në jetë një djalë, një lajm që ka sjellë gëzim jo vetëm në familjen e saj, por edhe në radhët e kolegëve institucionalë. Në Kuvend, deputetë dhe bashkëpunëtorë e kanë uruar me mesazhe të shumta dhe lule, duke ndarë me të këtë moment të veçantë.
Pirdeni është një nga figurat aktive të kabinetit qeveritar, e angazhuar kryesisht në çështje që lidhen me integrimin europian dhe forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit.
