Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë, në afërsi të fshatit Zhamë-Sektor.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip fuoristradë ka përplasur një këmbësore, e cila po tentonte të kalonte autostradën.
Si pasojë e përplasjes ka mbetur e plagosur rëndë shtetasja Bajame Ramazani, 75 vjeçe, banuese në Zhamë-Sektor.
Mësohet se e moshuara po kalonte autostradën nga njëra anë në tjetrën për të shkuar drejtë tokave të saj bujqësore, duke kaluar mbi trafikndarësen vetëm rreth 50 metra larg një mbikalimi.
Përplasja ka qenë e fortë, duke i shkaktuar 75-vjeçares dëmtime të rënda, e cila është transportuar me urgjencë në Spitalin e Lushnjës, por nuk ka mundur dot t’u mbijetonte plagëve të marra.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.
