Detaje të reja janë mësuar nga ngjarja tragjike e kësaj të diele në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku një aksident rrugor ka përfunduar me pasoja të rënda, duke i marrë jetën dy fëmijëve të mitur dhe duke lënë të plagosur rëndë një tjetër.
Sipas informacioneve paraprake, tre fëmijët ndodheshin pranë rrugës kur janë përplasur nga një automjet tip “Benz” me shpejtësi skëterrë, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe është drejtuar drejt tyre. Përplasja ka qenë fatale për dy prej të miturve, të cilët kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa fëmija i tretë është transportuar me urgjencë drejt spitalit dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendngjarja duke braktisur mjetin, ndërsa policia ka nisur menjëherë hetimet dhe kërkimet për identifikimin dhe kapjen e tij.
Siç shihet dhe në pamjet e mëposhtme në vendin e ngjarjes ndodhet ende topi me të cilin tre të miturit po luanin këtë të diel, ndërkohë që pak më tutje është dhe këpuca e njërit prej tyre.
Sakaq përpos forcave të shumta të Policisë në vendin ku dhe tre të miturit u përplasën janë dhe familjarët e tyre të cilët po bërtasin me të madhe pasi shpirti po ju “çahet” nga humbja e engjëjve të tyre.
Lidhur me këtë ngjarje policia po punon dhe pritet një reagim zyrtar.
