Afrim Tafa është shkarkuar këtë të mërkurë nga detyra e drejtorit të Policisë së Durrësit, tre ditë pas aksidentit tragjik që u mori jetën dy fëmijëve të mitur.
Mësohet se Tafa është emëruar si shef sektori pranë Interpolit, i cili këtë detyrë e ka mbajtur edhe më herët, përpara se të merrte drejtimin e policisë në këtë qark.
Fillimisht, Tafa u shkarkua nga detyra së bashku me zëvendësdrejtorin Zija Sulaj dhe shefin e Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo, në Komisariatin e Durrësit.
Kujtojmë se më 3 maj, një aksident tragjik u mori jetën dy fëmijëve të mitur dhe la të plagosur një tjetër. Ngjarja ka ngritur shqetësime të forta mbi reagimin dhe veprimet e strukturave policore, pas denoncimeve të vazhdueshme nga banorët e zonës.
