Një ngjarje e rëndë dhe tronditëse dyshohet të ketë ndodhur në ambientet e shkollës “28 Nëntori” në qytetin bregdetar të Vlorës. Sipas burimeve jozyrtare, incidenti është përpjekur të mbahet i fshehtë nga institucionet vendore, përfshirë drejtues të shkollës, Drejtorinë Arsimore dhe madje edhe strukturat vendore të Policisë së Shtetit.
Informacionet paraprake tregojnë se disa nxënës janë përfshirë në një konflikt të dhunshëm brenda shkollës, konflikt i cili ka degraduar deri në përdorimin e thikave. Njëri prej nxënësve dyshohet se është futur në dhomën e pastrimit, ku ka marrë një thikë kuzhine dhe më pas ka goditur tre herë një bashkëmoshatar, duke e plagosur në dorë.
Mësuesit kanë ndërhyrë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës, ndërsa i mituri u transportua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Ajo që e shton edhe më tej shqetësimin është fakti se institucionet po përpiqen ta mbajnë të fshehtë dhe larg vëmendjes së opinionit. Referuar denoncimit të një prindi mësohet se pas kësaj ngjarje është organizuar një takim urgjent me familjarët e të dy të miturve, të cilët thuhet se janë policë, në prani të drejtuesve të shkollës dhe përfaqësuesve të zonës.
“Sot tek shkolla ‘28 Nëntori’ është qëlluar me thikë një nxënës. Sherr mes fëmijëve. Njëri prej tyre ka marrë thikën e bukës dhe ka goditur shokun tre herë, duke e prerë në dorë. Ngjarjen e kanë parandaluar që të mos përshkallëzohej. Mësuesja e ka çuar fëmijën në spital. Më pas është bërë një takim me prindërit në prani të drejtuesve të zonës. Baballarët e të dy fëmijëve janë policë. Ngjarja po mbahet e fshehtë që të mos dalë në media. Shkolla nuk ka as oficer sigurie. Ne si prindër jemi shumë të shqetësuar. Ata kanë merakun e imazhit, ne kemi fëmijët”, denoncon një prej prindërve.
Kjo ngjarje vjen në një kohë kur Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit deklarojnë vazhdimisht se po rrisin masat për sigurinë e nxënësve, mirëpo sulme të tilla brenda ambienteve arsimore duket se po shtohen, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi efektivitetin e këtyre masave.
Rasti i Martin Canit, i cili humbi jetën pas një konflikti të dhunshëm, ka qenë një “këmbanë alarmi” që duhej të trondiste institucionet nga themelet. Megjithatë, ngjarja e mëvonshme ku humbi jetën 15-vjeçari Erjon Boba nga Durrësi, dëshmoi se problemet vazhdojnë dhe se situata mbetet e njëjtë. Dy të miturit e lartpërmendur humbën jetën pasi u qëlluan me thika nga bashkëmoshatarët e tyre.
Lidhur me rastin e Vlorës deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar!
