Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të shtunë në Korçë, ku një 71-vjeçare është gjetur e pajetë në banesën e saj në zonën e njohur si “Dritat e Verdha”. Viktima është identifikuar si Zana Qendro.
Ngjarja ka tronditur komunitetin, ndërsa rasti është cilësuar si vdekje natyrale nga policia.
U gjet e pajetë nga anëtarët e Shoqatës së Jetimëve
Sipas informacioneve paraprake, 71-vjeçarja është gjetur pa shenja jete nga anëtarë të Shoqatës së Jetimëve, Dega Korçë, ku ajo ishte pjesë.
Kanë qenë pikërisht ata që, të shqetësuar për mungesën e saj prej disa ditësh, janë interesuar dhe më pas kanë shkuar në banesën e saj, ku kanë konstatuar se ajo kishte ndërruar jetë.
Policia: Vdekje natyrale
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka kryer veprimet hetimore dhe paraprakisht ngjarja është cilësuar si vdekje natyrale.
Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa procedurat për rastin vijojnë sipas rregullave.
Apel që të përcillet me dinjitet
Nga Shoqata e Jetimëve, Dega Korçë, është bërë apel që 71-vjeçarja të mos mbetet e harruar, por të përcillet me dinjitet në banesën e fundit, pavarësisht se organizimi mund të jetë modest.
Ngjarja ka prekur shumë persona në Korçë, ndërsa shoqata ka kërkuar solidaritet për ceremoninë mortore.
