Pavarësisht sezonit veror dhe pritshmërive për një zbehje të mobilizimit, organizatorët deklarojnë se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.
Pavarësisht se me nisjen e sezonit veror u mendua se protestat do të humbnin intensitetin ose do të ndërpriteshin përkohësisht, organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë dhënë një mesazh të qartë: mobilizimi nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Edi Rama. Lajm i keq ky për kreun e qeverisë.
Me thirrjen “Nuk ka ndalim të protestave”, qytetarët u mblodhën sërish këtë mbrëmje në sheshin “Skënderbej”, prej nga marshuan drejt Kryeministrisë për të vijuar protestën kundër qeverisë.
Gjatë gjithë marshimit dhe pas mbërritjes para godinës së Kryeministrisë, protestuesit brohoritën vazhdimisht “Rama, jepe dorëheqjen!”, duke e bërë këtë thirrjen kryesore të tubimit. Në kor u dëgjuan edhe parulla si “Shqipëria kërkon revolucion”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Poshtë patronazhistët” dhe “Shqipëri e re!”, të shoqëruara me duartrokitje dhe brohoritje nga të pranishmit.
Organizatorët ritheksuan se protesta nuk është një aksion i izoluar, por pjesë e një mobilizimi që, sipas tyre, do të vijojë edhe në javët në vijim. Ata u bënë thirrje qytetarëve dhe diasporës që t’u bashkohen protestave të ardhshme, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në përmbushjen e kërkesës së tyre për dorëheqjen e kryeministrit.
Marshimi u zhvillua nën masa të shtuara sigurie, me praninë e forcave të Policisë së Shtetit përgjatë itinerarit dhe pranë godinës së Kryeministrisë.
Protesta e kësaj mbrëmjeje vjen vetëm pak ditë pas tubimit të 2 korrikut, i cili u shoqërua me përplasje mes një pjese të protestuesve dhe policisë. Gjatë ditës së sotme, një pjesë e të arrestuarve u liruan me vendim të Gjykatës së Tiranës, ndërsa organizatorët e konsideruan këtë zhvillim si një arsye më shumë për të vijuar mobilizimin dhe për të mos hequr dorë nga protestat.
Vijoi edhe në ditën e 36-të protesta madhështore qytetare kundër qeverisë Rama.
Sakaq, një sipërmarrës mori fjalën në podiumin e improvizuar dhe paralajmëroi se 6 deputetë të PS-së janë gati ta çojnë qeverinë Rama në votëbesim.
Protestuesi: Na quan dështakë. Kam një pyetje. E nisi me shëndetësia falas, arsim cilësor. Rend dhe siguri. 300 mijë vende pune. Dhe nuk mbaronte liste nëse do i thonim se janë të pafundme dështimet e këtij njeriut. Kam një thirrje për deputetët e PS dhe të PD. ata pak që kanë një fije dinjitet. Ju e dini se rënia e Ramës është dhe fikja e karrierës suaj. 6 deputetë të PS kanë shprehur dëshirën për të hequr dorë dhe për ta çuar qeverinë në votëbesim. Po vjen ora. Ju Edi Rama dhe Sali Berisha keni vjedhur ëndrrat e këtij vendi. Ky është fundi jot. Ju dua shumë, jeni fantastik. Jemi liria, po bëjmë histori, jemi këtu për vlera. Jemi këtu për republikë që i takon njerëzve dhe jo një parlament noter të një kryeministri të korruptuar.
