Dy ngjarje të rënda janë regjistruar gjatë orëve të fundit në Tiranë. Policia e Shtetit ka bërë me dije se mëngjesin e kësaj të mërkure është gjetur i pajetë punonjësi i Gardës.
Sipas të njëjtave informacione mësohet se shtetasi Albert Gadica, 42-vjeç dyshohet se është vetëvrarë me armën e shërbimit. Kanë qenë familjarët ata të cilët e kanë gjetur të pajetë në banesë.
“Më datë 27.05.2026, rreth orës 07:05, në banesën e tij, në Rrugën e Dibrës, është konstatuar pa shenja jete shtetasi A. G., rreth 42 vjeç, punonjës i Gardës. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se është vetëvrarë me armën e shërbimit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë që një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në mesnatë ku një 34-vjeçar i identifikuar si Juxhin Hamajezi është paraqitur i plagosur në spital. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se plagosja ka ndodhur në rrugën “Aleksandër Moisiu” gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
