Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kretën pasditen e së shtunës kur një 28-vjeçare, mamaja e 4 fëmijëve u gjet e plagosur dhe e mbuluar nga gjaku në një cep të rrugës.
Aktualisht mësohet se e reja ndodhet e shtruar në Spitalin e Përgjithshëm Universitar të Heraklionit duke marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa pritet që të japë dëshminë e saj për ngjarjen e rëndë, raporton protothema.gr.
Nga ana tjetër, Policia i ka vënë prangat bashkëshortit të saj i cili akuzohet për tentativë vrasjeje.
Burri i të plagosurës dyshohet të jetë autori i ngjarje së rëndë, pasi fëmijët e tyre në dëshminë e dhënë para hetuesve të ngjarjes kanë thënë “babai e shtyu nënën dhe ajo ra nga makina dhe e goditi”.
Autoritetet vendase po vijojnë me hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa deklaratat e fëmijëve dhe të afërmve pritet të luajnë një rol vendimtar në zhvillimin e çështjes.
Referuar të dhënave paraprake të nxjerra nga hetimet, mësohet se çifti doli nga shtëpia e tyre rreth orës 5:20 të pasdites së së shtunës me tre nga katër fëmijët e tyre, në mesin e tyre dhhe foshnja tre muajshe.
Ata u nisën me makinën e tyre drejt një biznesi ushqimi që 30-vjeçari zotëron në Heraklion. Pas 22 minutash nga nisja, 30-vjeçari telefonoi vjehrrën e tij, duke e njoftuar në një mënyrë të hutuar se kishte ndodhur një aksident. Sapo mamaja e 28- vjeçares e të afërm të saj mbërritën në vendngjarje, ata e gjetën çiftin vetëm 500 metra larg shtëpisë së tyre.
30-vjeçari pretendoi se ishin kthyer në shtëpi sepse kishin harruar gjëra për foshnjën, të tilla si biberonin dhe ushqimin. Ndërkohë që nga ana tjetër, 28-vjeçarja u gjet e mbuluar me gjak në tokë, me një pjesë të trupit të saj në rrugë dhe pjesën tjetër në bar, në një zonë rurale ku nuk ka as kamera sigurie.
Në dëshminë e dhënë para Policisë 30-vjeçari tha se teksa drejtonte makinën, dera e pasagjerit u hap papritur dhe gruaja e tij u hodh jashtë automjetit, duke ia pasuar shkakun e plagosjes së partneres së tij, problemit mekanik me derën .
Megjithatë, autoritetet policore po vijojnë me hetimet në pista të ndryshme.
Midis tyre renditen pista 1: që të ketë pasur një aksident trafiku dhe 30-vjeçari, për shkak të dehjes, nuk mban mend se çfarë ka ndodhur saktësisht, pista 2: që ai ta ketë hedhur gruan jashtë automjetit ose edhe ta ketë plagosur atë me vetë makinën.
