Ivanka Trump, vajza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe bashkëshortja e Jared Kushner – një nga investitorët e përfshirë në projektin e ishullit të Sazanit – ka tërhequr vëmendjen me një postim të veçantë në rrjetet sociale, ku ka ndarë interesin e saj për Shqipërinë dhe historinë e shqiptarëve.
Në një foto të publikuar në llogarinë e saj në Instagram, Ivanka Trump shfaq tre libra të vendosur mbi një tavolinë, të cilët lidhen drejtpërdrejt me historinë, identitetin dhe letërsinë shqiptare. Konkretisht, bëhet fjalë për veprat:
“Albania: From Anarchy to Balkan Identity” nga Miranda Vickers dhe James Pettifer,
“The Albanians: A Modern History”, po nga Miranda Vickers,
si dhe romanin e njohur “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Poshtë fotos së librave, Ivanka Trump ka shkruar thjesht një fjalë: “Research!” (“Kërkim!”), duke lënë të kuptohet se po studion më nga afër historinë, kulturën dhe identitetin e shqiptarëve.
Ky postim ka ngjallur reagime të shumta, veçanërisht në rrjetet sociale shqiptare, ku është interpretuar si një sinjal interesi i shtuar jo vetëm personal, por edhe në funksion të projekteve strategjike që lidhen me Shqipërinë, përfshirë investimin e paralajmëruar në ishullin e Sazanit.
Interesimi i familjes Trump-Kushner për Shqipërinë ka qenë në fokus të mediave ndërkombëtare dhe vendase muajt e fundit, ndërsa ky postim i Ivanka Trump shihet si një tjetër tregues i lidhjes gjithnjë e më të ngushtë me vendin tonë.

