Një skandal i rëndë ka tronditur Zvicrën, ku një hetim në Spitalin Universitar të Cyrihut ka ngritur dyshime serioze për një drejtues të kardiokirurgjisë, i cili mund të ketë lidhje me vdekjen e më shumë se 70 pacientëve gjatë viteve të ushtrimit të detyrës.
Sipas mediave ndërkombëtare, hetimi ka evidentuar një nivel vdekshmërie dukshëm më të lartë se normalja në ndërhyrje kirurgjikale gjatë periudhës 2016–2020, në rreth 4,500 operacione të analizuara.
Autoritetet spitalore kanë pranuar se janë regjistruar vdekje të papritura dhe devijime të konsiderueshme nga standardet mjekësore, duke e kaluar çështjen për hetim penal.
Në qendër të verifikimeve janë edhe dyshimet për përdorim të papërshtatshëm të një implanti për valvulat e zemrës, si dhe për mungesë kontrolli dhe menaxhim të dobët institucional në repartin e kardiokirurgjisë.
Pas publikimit të hetimit, disa drejtues të spitalit kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa institucioni ka kërkuar falje publike dhe ka nisur rishikimin e rasteve të dyshimta.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë nëse ka pasur neglizhencë mjekësore apo përgjegjësi penale në këtë rast.
