Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po e rrit ritmin e përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, duke përfshirë në listat e saj figura me peshë dhe profil publik të qëndrueshëm.
Pas konfirmimit të Agim Çekut si një prej prurjeve kryesore, burime brenda partisë bëjnë të ditur se një tjetër ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet t’i bashkohet garës për deputet.
Emri që pritet të zyrtarizohet së shpejti është Dardan Krasniqi, kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Krasniqi është një figurë e njohur në opinion për qëndrimet e tij kritike, komentet politike dhe analizat e drejtpërdrejta që jep shpesh në rrjete sociale dhe media.
I angazhuar që në moshë të re në luftën e UÇK-së, Krasniqi kujtohet si një nga ushtarët më të rinj të formacioneve çlirimtare. Profili i tij kombëtarist dhe angazhimi i hershëm në çështjet e shtetndërtimit e kanë bërë një figurë të pranishme në debatin publik.
Me futjen e tij në listën e AAK-së, partia e Ramush Haradinajt synon të forcojë pozicionin në elektorat dhe të tërheqë votues të rinj, veçanërisht ata që identifikohen me vlerat e luftës dhe qëndrimin e ashpër ndaj zhvillimeve politike në vend.
Zyrtarizimi i plotë pritet të bëhet në ditët në vijim.