Skip to content

Zbulon kushtin dhe datën kur do të japë dorëheqjen!

Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste për median italiane “Vanity Fair” ka folur sërish në lidhje me projektin e Zvërnecit dhe të Sazanit, duke e konsideruar si jetikë vendin tonë.

Rama sërish ka theksuar se ai do të ishte kundër nsëe projekti do të ndikonte negativisht mbi mjedisin, ku tha se vetëm turizmi luksoz, e shpëton vendin dhe natyrën e tij nga ndikimi shkatërrues i turizmit masiv.

Po ashtu kryeministri u ndal edhe tek protestat kombëtare që po zhvillohen në vendin tonë, teksa nuk nguroi që të akuzojë Iranin se qëndron pas nxitjes së tyre.

“Mes protestuesve ka sigurisht një komponent të nxitur nga Irani. Nuk është sekret që Shqipëria është nën presion: Teherani ka tentuar më parë të kryejë një sulm kibernetik ndaj sistemeve tona të sigurisë vite më parë. Nuk ia dolën”, u shpreh ai.

Ndërsa sa i përket largimit nga posti i kryeministrit, Rama tha se do ta bënte këtë, pas integrimit në Bashkimin Europian të vendit tonë. Vlen të theksohet, se kryeministri dhe qeveria shqiptare ka caktuara vitin 2030 për integrimin në BE.

Duke u ndalur tek integrimi, kreu i qeverisë nënvizoi se Shqipëria ka ende punë për të bërë, por ai sërish u shpreh optimist.

Intervista e plotë e Kryeministrit Rama për “Vanity Fair”:

Kryeministri Rama: Muret e kësaj zyre po lëvizin

Gazetarja: Në ç’kuptim?

Rama: Kur fitova zgjedhjet për herë të parë, në vitin 2013, i kërkova një këshillë Tony Blair-it. Ai m’u përgjigj: “Të qeverisësh një vend është si të qëndrosh përballë një afresku. Duhet të mbash distancën e duhur; nëse afrohesh shumë, humb pamjen e përgjithshme”. Problemi është se, shpesh, është vetë afresku që vjen drejt teje. Muret ngushtohen derisa të bëjnë të ndihesh si në një qeli nga e cila nuk mund të shpëtosh.

Gazetarja: Hapësirën jetike të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për të gjithë Edi, 62 vjeç, më 4 korrik, dy metra i gjatë, e shtrëngojnë nga njëra anë drejtësia, hetimet e së cilës për korrupsion kanë arritur deri te zëvendësja e tij Belinda Balluku; nga ana tjetër, opozita politike e Sali Berishës, lideri i së djathtës dhe ish-kryeministër, i cili nuk humbet rast pa e akuzuar se e ka shndërruar vendin në një “narko-shtet”. Pastaj janë afatet që duhen respektuar për t’u përshtatur me standardet, në shpresën e një anëtarësimi në BE në vitin 2027, objektivi kryesor i këtij mandati të tij të katërt.

Që nga 23 maji, mijëra njerëz janë derdhur në rrugët e Tiranës për të protestuar kundër dhënies së ishullit të Sazanit dhe bregdetit të Vlorës Jared Kushner-it dhe Ivanka Trump-it, të cilët synojnë të ndërtojnë resorte luksoze në zona të paprekura dhe të banuara nga pelikanë e flamingo.

Pikërisht flamingot janë bërë simboli i një lëvizjeje, “revolucioni i flamingove”, që vazhdon me slogane si “Shqipëria nuk është në shitje” dhe që shpejt ka shndërruar pakënaqësinë për çështjen mjedisore në një pakënaqësi më të gjerë ndaj establishmentit.

Kundër Ramës në radhë të parë, për dorëheqjen e të cilit kërkohet si brenda vendit ashtu edhe jashtë. Madje edhe senatori amerikan demokrat Bernie Sanders, në një postim, është shprehur kundër përuljes së qeverisë shqiptare përballë “oligarkisë globale”.

I rrethuar nga më shumë se një front, ish-basketbollisti i ekipit kombëtar dhe artisti i shquar, ish-kryetar i bashkisë së Tiranës dhe lider i Partisë Socialiste, ndërton mbrojtjen e tij duke vënë në dyshim pikënisjen.

Kryeministri Rama: Nëse do të ishte e vërtetë që po shesim tokën tonë tek oligarkë të gatshëm ta shkatërrojnë me mega-ndërtime, do të isha i pari që do të ndihesha i neveritur. Por a është e vërtetë?

LEXO EDHE:  “Më është mbyllur goja…”, Hashim Thaçi rrëfen tmerrin në 6 vite izolim ne burgun e Hages

Gazetarja: Na e thoni ju.

Kryeministri Rama: Është një narrativë e ndërtuar mbi gjysmë të vërteta që, duke kaluar nga goja në gojë, nga postimi në postim, janë shndërruar në një gënjeshtër gjigante.

Le të fillojmë nga gjysmë të vërtetat. Ka dy site: i pari, bregdeti i Vlorës ishte pronë private dhe është shitur te investitorët.

Ka nga ata që thonë se shitja nuk ka qenë e ligjshme dhe se dhëndri i Donald Trump-it, Jared Kushner, tani është nën hetim.

Ish-pronari ishte nën hetim për një çështje tjetër. Tani transaksioni është pezull derisa të sqarohet pronësia e ligjshme e tokave, që në Shqipëri mbetet një çështje delikate që nga rënia e regjimit dhe rishpërndarja e titujve të pronësisë. Sapo të sqarohet pronësia, shuma do t’i paguhet atij që i takon

Gazetarja: Po siti i dytë?

Kryeministri Rama: Është ishulli i Sazanit, i cili i përket shtetit. Dhe nuk ka asnjë synim për ta shitur. Po negociojmë një partneritet. Më pas do të nisin analizat mjedisore për t’u siguruar që natyra të mbrohet.

Gazetarja: Ju akuzoheni se keni ndryshuar ligjin për mbrojtjen e mjedisit pak para se të fillonin negociatat me Kushner-in, pikërisht për t’i hapur rrugën atij.

Kryeministri Rama: Ne e kemi përshtatur legjislacionin tonë me standardet europiane që parashikojnë nivele të ndryshme mbrojtjeje. Ka zona të paprekshme, si delta e lumit Vjosa, dhe zona ku mund të ndërtohet, gjithmonë duke respektuar standardet e BE-së.

Gazetarja: Protestuesit kërkojnë heqje të plotë dorë nga projekti?

Kryeministri Rama: Gjëja kurioze është se ende nuk ka një projekt konkret. Ka një ide, një ëndërr për të cilën po punojnë disa nga arkitektët dhe inxhinierët mjedisorë më të mirë në botë. Po flas për njerëz si Kengo Kuma, Jean Nouvel, Dong Yugan. Kur projekti të jetë gati, do ta bëjmë publik me krenari dhe do të hapim diskutime me ambientalistët.

Gazetarja: Megjithatë mbetet fakti që çdo ndërhyrje do të ndikojë në mjedis më shumë se mungesa e ndërhyrjes.

Kryeministri Rama: Në këtë rast, megjithatë, pakti parashikon që në fund të ketë më shumë zona të gjelbra se sa në fillim. Dyshimet lindin nga supozimi se zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit janë domosdoshmërisht armiq. Ky është gabim. Vetëm turizmi luksoz mund ta shpëtojë vendin dhe natyrën e tij nga ndikimi shkatërrues i turizmit masiv. Por shumë nuk do të dëgjojnë sepse janë të fokusuar në gjëra të tjera.

Gazetarja: Në çfarë?

Kryeministri Rama: Te emri i investitorit: Kushner, bashkëshorti i Ivanka Trump. Por kur nisën takimet, presidenti i SHBA-së ishte Biden dhe nuk dihej nëse Donald Trump do të përfundonte në Shtëpinë e Bardhë apo në burg. Mendoj se është gabim të përdoret Shqipëria për të bërë beteja politike të vendeve të tjera.

Gazetarja: Kujt i referoheni?

Kryeministri Rama: Lista është e gjatë. Mes protestuesve ka sigurisht një komponent të nxitur nga Irani. Nuk është sekret që Shqipëria është nën presion: Teherani ka tentuar më parë të kryejë një sulm kibernetik ndaj sistemeve tona të sigurisë vite më parë. Nuk ia dolën. Dhe tani po provojnë sërish duke ndërtuar një narrativë anti-Izrael sipas së cilës ky projekt është një favor për Netanyahun. Çmenduri. Pastaj ka edhe konkurrentë turistikë, të cilët natyrisht kundërshtojnë zhvillimin tonë. Nuk mungojnë as kundërshtarët e mi politikë. Pjesa tjetër janë njerëz të mirë që e besojnë vërtet. Atyre u them: prisni të shihni projektin dhe pastaj gjykoni.

LEXO EDHE:  E pabesueshme/ Zbulohet numri i protestuesve mbrëmjen e djeshme në Tiranë

Gazetarja: Ndërkohë ata po i kërkojnë të largohet. A e mendon ndonjëherë këtë?

Kryeministri Rama: Për sa kohë do të ndiej zjarrin e pasionit, do të qëndroj. Nëse Shqipëria do të pranohej vërtet në BE, mbledhja e parë si shtet anëtar do të ishte rasti më i bukur për të dhënë dorëheqjen.

Gazetarja: A jeni ende i gatshëm të hiqni dorë nga e drejta e vetos?

Kryeministri Rama: Absolutisht. Europa duhet të jetë si një tryezë familjare ku ka hierarki. Nuk flas për kategori të ndryshme qytetarie, por BE-ja nuk mund të funksionojë me konsensus të plotë të të gjithëve.

Gazetarja: Sa i leverdis BE-së t’ju pranojë?

Kryeministri Rama: Një studim i fundit i Parlamentit Europian thotë se, në aspekt financiar, ta lësh Ballkanin Perëndimor jashtë është më e kushtueshme sesa t’a fusësh brenda.

Gazetarja: Ka edhe një mundësi politike për t’ia hequr atë zonë ndikimit të Moskës?

Kryeministri Rama: Jo për Shqipërinë, e cila nuk ka pasur marrëdhënie zyrtare me Kremlinin që nga viti 1960: asnjë vizitë shtetërore që atëherë. Tek ne, popullariteti i Putinit nuk kalon 2.7 për qind. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për vende si Serbia, që e shohin Rusinë si një aleat të mundshëm.

Gazetarja: Megjithatë ju keni thënë disa herë se me Putinin duhet folur për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kryeministri Rama: Po, do të ishte e udhës të hapet një tryezë negociatash, sepse Rusia është aty dhe do të mbetet. Dhe Europa ka një rol diplomatik, edhe në konflikte shumë të ashpra si ai mes Izraelit dhe Hamasit: ka gjak, por ka edhe dialog.

Gazetarja: Ju keni deklaruar gjithmonë se Shqipëria është mik i Izraelit. Sot si e shihni qeverinë e Netanyahut dhe veprimet e saj në Palestinë? Sipas të dhënave të fundit flitet për mbi 20 mijë fëmijë të vrarë.

Kryeministri Rama: Pas rënies së regjimit, Shqipëria ishte e izoluar, pa aleatë në Lindje apo në Perëndim. Kemi vuajtur shumë dhe tani që kemi marrëdhënie të mira me Izraelin, me vendet e Gjirit, me Turqinë, nuk mund të lejojmë një politikë “barrikadash”. Unë e konsideroj Hamasin të keqen absolute. A jam dakord me gjithçka që bën e djathta izraelite? Jo. A jam në pozitë t’i mbaj moral dikujt? Jo.

Gazetarja: A vlen e njëjta logjikë edhe për qendrat e pranimit të emigrantëve, pavarësisht se ju vetë vini nga një histori emigracioni?

Kryeministri Rama: Mendoj këtë se ne nuk duhet të bëjmë pyetje kur qeveria italiane na kërkon ndihmë, sepse ju nuk keni bërë pyetje kur ne kishim nevojë.

Gazetarja: Me Giorgia Melonin vini nga dy botë ideologjike shumë të largëta.

Kryeministri Rama: Nuk më duket se ajo është trashëgimtare e Mussolinit. Më duket më shumë trashëgimtare e Pentapartitit. Dhe nuk besoj se ideologjitë e ndryshme mund të pengojnë bashkëpunimin.

Gazetarja: A ka pasur një kohë kur ideologjia ishte gjithçka për ju?

Kryeministri Rama: Po ju them vetëm këtë: unë e kam mësuar italishten nga gjyshja ime, që ishte nga Venezia. Pastaj e lashë kur u bëra marksist dhe e konsideroja gjuhën tuaj si gjuhë fashistësh. Më vonë u riktheva, duke kuptuar se nuk mund të isha aq budalla.

Gazetarja: Për cilën periudhë flasim?

Kryeministri Rama: Adoleshenca ime. Ishte një djalë rebel, jo në kuptimin që ikja nga shtëpia. Ishte rebel në mendje. Nëna ime më thoshte: “Ajo gjuhë do të të çojë në ferr”.

Gazetarja: A kishte të drejtë?

Kryeministri Rama: Për pak më çoi në morg. Gjatë një periudhe para rënies së financave, dikush më bëri një pritë. Kishin fytyrat e mbuluara dhe shufra hekuri në duar. Më lanë në rrugë, pothuaj i vdekur. Ai episod mund të kishte ndryshuar jetën time.

LEXO EDHE:  Tjeter ‘TRONDITJE’, Drejtori i fuqishem ne Shqiperi perfundon ne SPAK (Akuzat)

Gazetarja: Domethënë?

Kryeministri Rama: Kisha vendosur të rrija në Paris, ku kisha shkuar me bursë si piktor. Pikturoja, ekspozoja, besoja te filozofët e rinj francezë. Sillesha si një intelektual i angazhuar.

Gazetarja: Pastaj?

Kryeministri Rama: Më vdiq babai, me të cilin isha shumë i lidhur. U ktheva në Shqipëri dhe po atë ditë të funeralit, kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano, më ofroi postin e Ministrit të Kulturës. E kisha refuzuar më parë, por atëherë ndihesha fajtor sepse jetoja jashtë vendit. Pranova. Pak më vonë më vjen në shtëpi zëdhënësi i tij dhe më thotë: “Më duhet CV-ja jote”. Mora një copë letër dhe shkrova: “Jam Edi Rama, i lindur më 4 korrik, dhe kjo duhet të mjaftojë”.

Gazetarja: A jeni penduar që jeni kthyer?

Kryeministri Rama: Kur u ktheva në Paris për të marrë gjërat e mia, qava gjatë gjithë rrugës. Pas kësaj kurrë më. Kam pasur momente të vështira, por kam jetuar intensivisht. Jeta ime është si një film. Nuk kam asgjë tjetër për t’i kërkuar Zotit.

Gazetarja: A jeni besimtar?

Kryeministri Rama: Jam katolik, por nuk frekuentoj kishën. Isha shumë i lidhur me Papa Françeskun: ai më thoshte shpesh se lutej për mua dhe për Shqipërinë. Në një takim isha me bashkëshorten time, Linda, dhe djalin tonë, Zaho, i sapolindur. Familja jonë është multireligjioze: gruaja është myslimane, fëmijët nga martesat e para janë ortodoksë. E pyeta Papën: “Dhe ky i fundit çfarë duhet të bëhet?”. Ai tha: “Do ta vendosë vetë”.

Gazetarja: Edhe Papa Leone ju pëlqen?

Kryeministri Rama: E kam takuar vetëm një herë. Është ndryshe nga paraardhësi i tij: shumë më pak i hapur dhe ekstravert. Megjithatë më duket se ka një karakter të fortë dhe vullnet të mirë.

Gazetarja: A mendoni se do të jetë në gjendje të vendosë një kufi ndaj konflikteve?

Kryeministri Rama: Nuk besoj se ndalimi i luftërave është pjesë e mundësive të një Pape. Zëri i tij shërben për t’u treguar njerëzve një “kopsht” tjetër ku të shohin: si kultura apo arti.

Gazetarja: Çfarë hapësire ka sot arti në jetën tuaj?

Kryeministri Rama: Vizatoj sa herë që mundem, edhe në zyrë.

Gazetarja: Por përballë tavolinës tuaj të punës, megjithatë, nuk ka janë të varura vetëm pikturat e tua, por një vizatim i Zaho-s, me një mbishkrim: “Babi, jam krenar për ty”.

Kryeministri Rama: Nuk ka njohur diçka më të mirë. Nuk jam babai që do të doja të isha: puna nuk ma lejon.

Gazetarja: A jeni burri që do të donit të ishit?

Kryeministri Rama: Njerëzit thonë se fitoj zgjedhjet sepse nuk kam një opozitë të besueshme. Nuk e dinë se opozitën më kokëfortë e kam në shtëpi. Linda më sfidon gjithmonë të mendoj në një mënyrë tjetër, më të drejtë moralisht. Ajo është ekonomiste dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Nuk bën kompromiset që të heqin gjumin.

Gazetarja: Për çfarë po e humbni gjumin kohët e fundit?

Kryeministri Rama: E humb shpesh sepse nuk arrij të mbaj distancën e duhur, siç më këshillonte Tony Blair. Ndonjëherë ndihem i mbytur. Herë të tjera ndihem i vetmuar. E di që kam pranë njerëz besnikë, e di që kam familjen time, por kur duhet të marr vendime të caktuara nuk kam askënd tjetër. Sepse, sido që të shkojë, je ti ai që i merr ato vendime. Dhe je ti ai që i paguan pasojat.

Published inLAJME